Z. Perikli Zaharia ka më shumë se 30 vjet eksperiencë në fushën e së drejtës kushtetuese, hartimit të ligjeve, të drejtave të njeriut dhe procedurave gjyqësore. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe filloi karrierën e tij si këshilltar ligjor dhe noter ku punoi për rreth 3 vjet. Gjatë (1983-1986) ka punuar si inspektor në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë. Pas kësaj ai ka shërbyer si inspektor pranë Drejtorisë së Ligjshmërisë së Kuvendit deri në vitin 1991. Prej vitit 1991 deri më 1993, ai ka mbajtur pozicionin e Shefit të Zyrës së Çështjeve Parlamentare dhe Këshilltarëve Ligjorë dhe gjatë viteve 1994-1996 është angazhuar në disa eksperienca të rëndësishme ku ka qenë: Kryetar i Grupit të Juristëve Shqiptarë për të Drejtat e Njeriut dhe Drejtor i Projektit të Publikimit dhe të Vendimeve Gjyqësore, duke punuar ndërkohë si avokat. Gjatë gjithë kësaj periudhe z. Zaharia ka qenw edhe kryeredaktor i revistës ligjore shqiptare "Jurisprudenca". Në periudhën 1996 - 1998 ka punuar si këshilltar ligjor pranë Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Pas kësaj kohe ka kryer funksionin e Kancelarit të Gjykatës së Lartë, deri në korrik 2000, kur është emëruar Gjyqtar i Gjykatës Lartë me mandat 9 vjeçar. Ka qenë kryetar i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë për periudhën qershor 2002 - 2003 dhe qershor 2008 - 2009. Pë rreth 5 vite, në periudhën 2003-2008 z. Zaharia ka shërbyer edhe si Kryetar i Komisionit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare për Marrëdhëniet Gjyqësor-Media.
Sot, ai punon si këshilltar juridik i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe është gjithashtu lektor i së Drejtës Kushtetuese në Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri si dhe në universitete të tjera jo publike. Ai ka qenë një nga hartuesit e Kushtetutës së Re të Republikës së Shqipërisë. Një kontribut tjetër i rëndësishëm është përfshirja si koordinator në grupin e ngritur të punës për të harmonizuar legjislacionin shqiptar me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjatë gjithë përvojës së tij, z. Zaharia ka kryesuar institucione të ndryshme duke përfshirë Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë, si dhe Komitetin e Konferencave Gjyqësore Kombëtare për Marrëdhëniet ndërmjet Gjyqësorit dhe Mediave. Përveç kësaj, për një periudhë nëntëvjeçare ai ka qenë anëtar i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë (CCJE).
• P. Zaharia, "Për Deklaratën e OKB-së të vitit 1981 mbi Eliminimin e të gjitha formave të intolerancës dhe të diskriminimit të bazuar në Fenë ose Besimin dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Lirinë e Fesë", Publikim i Universitetit Brigham Young, Provo, Utah, USA , 2006
• P. Zaharia, "Roli i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë në zbatimin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut", Aplikimi dhe Mbikëqyrja e Publikimit të KEDNJ-së, Këshilli i Evropës, 2008
• P. Zaharia, "Për një gjyqësor të pavarur", revista "OBITER DICTUM", Vëllimi I, nr.1, 2011
• P. Zaharia, "Për zgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë" – Publikim i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, 2015.