Çështjet e shtetit të së drejtës në kuadër të Integrimit Europian nën lupën e kërkuesve shqiptarë

Më datë 29 shtator 2023 Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) organizoi forumin me temë “Çështjet e Shtetit të së Drejtës në kuadër të Integrimit Europian nën lupën e Kërkuesve shqiptarë”.

Forumi bëri bashkë autorë të EuroSpeak të cilët kanë kontribuar me artikuj analitikë në kuadër të thirrjes për artikuj të shpallur nga EMA në kuadër të projektit me tematika çështjet e përfshira në Kapitullin 23 dhe 24 si: lufta kundër korrupsionit, demokracia dhe mirëqeverisja, migracioni dhe azili, të drejtat e njeriut apo siguria kibernetike. Më shumë se 40 aplikime erdhën gjatë kësaj thirrjeje, ndërkohë që janë publikuar 12 artikuj gjatë periudhës korrik-shtator 2023.

Nirvana Deliu, Hulumtuese Politikash dhe Koordinatore Projekti pranë EMA bëri një prezantim të shtyllave kryesore të projektit dhe mundësive për përfshirje të grupeve të interesit për të dhënë kontributin e tyre sipas ekspertizës. Ajo u ndal tek shoqëria civile si një ndër aktorët kryesorë përsa i përket aspektit të ndërgjegjësimit, informimit, ekspertizës teknike dhe monitorimit për procesin reformues që vendi po ndërmerr në kuadër të integrimit europian. Deliu solli në vëmendje Konventën Kombëtare për Integrimin Europian si dhe rolin e saj si një nga komponentët kryesorë të këtij projekti. Ajo përmendi ngritjen e 5 Grupeve të Punës si dhe thirrjen për realizimin e 16 Studimeve të Politikave dhe artikujve me fokus çështjet e Kapitullit 23 dhe 24. Një tjetër pjesë e rëndësishme e projektit është Akademia a Shtetit të së Drejtës e konceptuar si një mundësi për ngritjen e kapaciteteve dhe përfshirjen e aktivistëve dhe profesionistëve të rinj. Gjithashtu, ajo solli në vëmendje hapat që janë ndërmarrë për zhvillimin e një faqeje online si një platformë interaktive për shpërndarjen e informacionit dhe dokumente kryesore. Projekti synon dhe rritjen e transparencës për buxhetin e sistemit gjyqësor dhe llogaridhënien e këtij sistemi nëpërmjet monitorimit dhe hulumtimit periodik.

Anxhela Kenaj, bashkëautore/EuroSpeak foli për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe u ndal te pasqyrimi dhe përshkrimi i metodologjisë së re të zgjerimit e BE-së. Ajo i dha rëndësi Grupimit të Parë të kapitujve dhe shtoi se Shqipëria do të duhet të përqafojë dhe zbatojë plotësisht reformat në fushat themelore të shtetit të së drejtës, në veçanti reformën gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave themelore, forcimin e institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike. Kenaj foli shkurtimisht për takimet dypalëshe screening të realizuara dhe përfunduara për Grupimit e Parë të kapitujve. Për të adresuar rekomandimet e Komisionit Europian të nxjerra nga draft -Raporti Screening i Komisionit Europian, shteti shqiptar do duhet të përgatisë 3 udhërrëfyes të cilët duhet të parashikojnë masa konkrete dhe të matshme që do të duhet të marrin institucionet për realizimin e tyre. Përkatësisht Udhërrëfyesit janë për Shtetin e së Drejtës; Funksionimin e Institucioneve Demokratike; Reformën në Administratën Publike.

Marsida Grami, bashkëautore/EuroSpeak, foli për legjislacionin europian në fushën e anëtarësimit, çeljen e negociatave duke pasqyruar edhe zhvillimet në vend në kuadër të integrimit në BE. Për Gramin, familja e madhe Europiane është një familje rregullash dhe ligjesh, standardesh të detyrueshme dhe gjatë këtij procesi Shqipëria do të duhet të rrisë standardet e saj politike, demokratike ekonomike dhe të zbatojë në mënyrën më të lartë respektimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore. Regresi ose qëndrimi në vend në fushën e shtetit të së drejtës është përcaktues për të gjithë procesin e integrimit të vendit. Gjithashtu, Grami analizoi dhe zhvillimet për miratimin e Hartës së re Gjyqësore e cila synon të shpërndajë ngarkesën e punës midis gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë më të drejtë duke rishpërndarë gjykatat në funksion të diferencave të grumbulluara. Harta e re ka qëllim të optimizojë burimet njerëzore dhe financiare, të rrisë efikasitetin e gjykatave dhe të zbusë ndikimin e procesit të vetingut. Grami identifikoi mangësitë e gjyqësorit jo totalisht të pavarur duke vënë në dukje se ato dëmtojnë nivelin e besimit tek publiku në lidhje me transparencën dhe llogaridhënien. Në përfundim, ajo i kushtoi vëmendje funksionimit të institucioneve demokratike dhe rëndësisë së tyre në sigurim të kohezionit social.

Lorela Alia, autore/EuroSpeak parashtroi sfidat e procesit të integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Alia u ndal në tregues të tillë si korrupsioni, polarizimi politik, klientelizmi politik dhe “kapja e shtetit” si fenomene me të cilat janë përballur ndër vite vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që vazhdojnë paraqesin sfida për të ardhmen e rajonit. Përsa i përket rrugës së Shqipërisë në BE pa anashkaluar elementin e meritokracisë, Alia e vuri theksin edhe në vullnetin politik që e shoqëron këtë proces. Ajo tha se do të ishte i nevojshëm një reflektim mbi të gjitha këto problematika dhe ky reflektim do të sillte një përmirësim të efektivitetit të IPA III në mënyrë që Shqipëria të gjenerojë sa më shumë projekte dhe zbatimi i tyre të bëhet me efikasitet. Ajo renditi këto mangësi thelbësore të menaxhimit dhe absorbimit të fondeve IPA për rastin e Shqipërisë:

Mungesë iniciativash për të aplikuar mbi projekte të ndryshme;
Ka një mungesë në koordinimin e institucioneve dhe aktorëve të cilët përfshihen në këtë proces;
Mungesa e informacionit dhe transparencës në lidhje me projektet, fondet dhe implementimin e tyre;
Keq-menaxhimi i këtyre fondeve për shkak të korrupsionit në nivele të larta.
Në përfundim ajo u shpreh se pavarësisht të gjithë faktorëve dhe sfidave që ndikojnë në procesin e integrimit, Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet më pro-europiane dhe e konsideron integrimin në BE si të vetmen alternativë për të ardhmen e vendit.

Valeria Bardhaj, autore/EuroSpeak, analizoi reformën dixhitale për dhënien e shërbimeve publike në Shqipëri. Ajo pasqyroi sfidat që kanë shoqëruar këtë reformë si dhe rezultatet që ka sjellë ajo në lehtësimin e procedurave dhe fitimit të kohës për qytetarët dhe bizneset. Sipas saj dixhitalizimi i shërbimeve, konkretisht nëpërmjet portalit e-albania ishte një reformë afatgjatë për t’i dhënë fund një herë e mirë kalvarit të pritjeve, zvarritjeve, burokracive, kostove të larta, si dhe për të minimizuar korrupsionin dhe nxitur investimet. Ajo solli në vëmendje raportin e Kombeve të Bashkuara, i cili rendit Shqipërinë në vendin e 8 në Europë dhe 19 në botë për shërbimet publike online. Në fund ajo u ndal tek krimet kibernetike ku u shpreh se dixhitalizimi na njohu me forma të reja të krimit, pasi sulmet kibernetike sollën cenim të sigurisë kombëtare, ulje të cilësisë së shërbimit, rrjedhje të të dhënave etj. Ndaj për të, fokusi maksimal duhet të jetë te parandalimi, forcimi i legjislacionit, rritja e kapaciteteve të ekspertëve të fushës, si dhe te ndërtimi i praktikave më të mira parandaluese dhe zhvilluese. Në përfundim Bardhaj u shpreh se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe shumë sfida për tu përballur.

Diskutim i hapur: Të pranishmit në takim ndanë mendimet dhe sugjerimet e tyre për rritjen e rolit të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në procesin e integrimit në BE. Pyetjet u fokusuan te harta e re gjyqësore dhe te kostot dhe efektet jo gjithmonë pozitive të reformës në drejtësi, si dhe te përgatitja e udhërrëfyesve në kuadër të procesit të negociatave me BE-në. Vëmendje e veçantë iu kushtua dhe zhvillimeve më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nevojës për më shumë bashkëpunim mes tyre, pasi dialogu dhe marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Ballkanit ndikojnë drejtpërdrejt në progresin e tyre drejt BE.

 

 

Partnere e sponsore