Autorët

JD Amanda Petersen

Amanda Petersen është studente kandidate për doktoraturë në vit të tretë  në kolegjin e   jurisprudencës “Sandra Day O'Connor”, në Universitetin Shtetëror të Arizonës. Fokusi i saj akademik është ligji ndërkombëtar dhe ligji për të drejtat e njeriut. Ajo studioi  për gjashtë muaj në programin e Autoritetit të Ligjit dhe Qeverisjes të organizuar nga Instituti McCain në Uashington DC. Gjatë kohës së saj në D.C, ajo gjithashtu kreu një praktikë me Departamentin Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, Punës dhe Demokracisë. Nga maji deri në korrik të vitit 2017 ajo përfitoi  një grant juridik ndërkombëtar për të përfunduar një bursë kërkimore me zyrën e National Democratic Institute (NDI). Ajo u diplomua  në maj të 2018-ës ku edhe  planifikon të marrë provimin amerikan për ‘Avokatinë dhe Praktikën’ në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare.

Kontributet e saj në RJSH:

Numri 6 - Legjislacioni shqiptar: 

Klodiana Beshku

Klodiana Beshku është pedagoge pranë Departamentit të Shkencave Politike, Universiteti i Tiranës që nga viti 2008. Gjatë 2014-2015 ajo ka qenë dhe Shefe e këtij Departamenti. Ajo është angazhuar dhe si Këshilltare e Kabinetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë nëpërmjet Programit LEAD Albania 2015-2016. Fushat e saj të ekspertizës që i ka në fokus dhe gjatë punës së saj si pedagoge në Universitet përfshijnë : Gjeopolitikën ( me fokus të veçantë Rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhëniet BE- SHBA - Rusi në këtë  rajon); Teoritë e Marrëdhënieve Rajonale dhe të Sigurisë; Lëvizjet e Reja Sociale; Zhvillimet politike dhe shoqërore në Europën Jug-Lindore; Qeverisja Qendrore Rajonale dhe ajo lokale ( me fokus temat mbi Europianizmin, rajonalizmin dhe federalizmin). Ajo ka mbaruar me sukses dhe studimet doktorale në Gjeopolitikë pranë Universitetit të Pizas në Itali, diplomuar në 2011 me tezën: “Roli i Komunitetit Europian në shpërbërjen e ish- Jugosllavisë – Rasti i Bosnje&Hercegovinës”. Ajo gjithashtu është diplomuar për studime Master në 2005 në Studime Europiane – Procesi  ndërtimit të Europës, një nismë e përbashkët e Universitetit të Sienës me atë të Strasburgut. Që nga shtatori i 2011 ajo është Kryeredaktore e Revistës Shkencore: ‘Politikja’ dhe bashkë-redaktore e Vëllimit: ‘Shqipëria dhe Europa në Rrafshin Politik’ , publikuar nga Cambridge Scholar Publishing në 2013.

Kontributet e saj në RJSH: 

Numri 5 - Bashkimi Europian dhe Integrimi: Roli Normativ i BE në Shpërbërjen e ish- Jugosllavisë

Dorina Ndreka

Dr. Dorina Ndreka është lektore me kohë të plotë pranë Departamentit të Drejtësisë në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, që prej vitit 2009. Ajo është diplomuar si juriste pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2003. Ka përfunduar Masterin Shkencor për Studime Europiane pranë Universitetit të Tiranës dhe është doktoruar pranë Universitetit të Tiranës në të Drejtën Ndërkombëtare Publike, me temë: “Ndikimi i së drejtës evropiane në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare publike”.  Që prej vitit 2005 e në vijim ushtron në mënyrë aktive avokatinë për çështje të së drejtës private dhe administrative. Ka eksperiencë të gjatë në fushën e këshillimit për çështjet e ligjit dhe të së drejtës.  Ajo është pjesëmarrëse aktive në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe botuese e artikujve në Revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. 

Kontributet e saj në RJSH: 

Numri 5- Çështje Praktike dhe Administrative: Kompensimi Civil i Veprave Penale në Shqipëri

Enea Sheqi

Enea Sheqi ka përfunduar studimet Bachelor pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është në përfundim të studimeve Master i Shkencave në të Drejtë Civile pranë të njëjtit universitet. Gjatë studimeve është angazhuar në shumë trajnime dhe workshope, në të drejtat e njeriut, të drejtën europiane, të drejtën e biznesit dhe atë familjare. Ka marrë pjesë në një trajnim dy mujor të organizuar nga prezenca e OSBE në Shqipëri si dhe është vlerësuar me çmimin për performancën më të mirë gjatë modelit simulues të organizuar nga EMA. Ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore ndërkombëtare të organizuara nga Universiteti i Tiranës me Universitetin e La Sapienza referuar me temat: “Ndikimi i të drejtave të njeriut në të drejtën private” dhe “Marrja dhe përdorimi i kampionëve biologjikë. Të rejat dhe risitë e Kodit të  Procedurës Penale”. Aktualisht është duke kryer një internship pranë organizatës Lëvizja Europiane në Shqipëri, si dhe është angazhuar në disa konferenca kombëtare. Ai shfaq interes lidhur me të drejtën europiane, të drejtën civile dhe të drejtën private europiane. Njeh gjuhën shqipe (gjuhë amtare), angleze dhe frënge, si dhe ka njohuri bazike të gjuhës italiane.

Kontributet e tij në ALJ: 

Numri 6 - Çështje Praktike dhe Administrative: Bashkimi Ndërkufitar i Shoqërive Tregtare

Partnere e sponsore