Revista Juridike Shqiptare publikon artikuj analitikë që merren me një sërë disiplinash të fokusuara në ligj dhe politikë. Revista Juridike organizohet në 4 shtylla kryesore: a) Legjislacioni Shqiptar; b) Çështjet Administrative dhe Praktike; c) Të Drejtat e Njeriut; d) Bashkimi Europian dhe Integrimi. Në secilin prej numrave të Revistës do të zgjidhen dhe publikohen artikuj cilësorë që mbulojnë një temë të veçantë për çdo shtyllë. Autorëve u këshillohet që ta përshtatin artikullin e tyre me një nga 4 shtyllat kryesore.
Revista Juridike Shqiptare synon që të jetë sa më gjithëpërfshirëse. Ndaj nuk ka kritere kufizuese apo të ngushta për autorët për aq kohë sa përmbushen kërkesat e cilësisë së artikujve.
Temat për këtë thirrje janë të lidhura me fushat që përfshihen në Kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kapitullin 24 (Drejtësia, Liria, Siguria) në kuadër të procesit të negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE .
Shtyllat tematike të sugjeruara por jo të detyrueshme janë:
*Lufta kundër korrupsionit;
*Reforma zgjedhore në Shqipëri;
*Lufta kundër krimit të organizuar;
*Barazia gjinore dhe të drejtat e komunitetit LGBTQIA+;
*Mjedisi mundësues për shoqërinë civile;
*Reforma në Drejtësi;
*Mbrojtja dhe integrimi i të huajve në Shqipëri;
*Gjuha e urrejtjes dhe Radikalizimi
Nëse jeni kërkues, ekspertë të çështjeve të integrimit dhe të drejtës së BE, përfaqësues të shoqërisë civile apo nga komuniteti akademik, por dhe profesionistë të rinj e përfaqësues të institucioneve publike ju inkurajojmë të bëheni pjesë e kësaj thirrjeje dhe të kontribuoni me artikuj në Revistën Juridike Shqiptare.
- Vëmendje të veçantë do u jepet dhe profesionistëve të rinj të cilët do të dërgojnë propozime cilësore.
- Për të gjitha publikimet që do të përzgjidhen dhe do të botohen do të ofrohet një shpërblim monetar për autorët.
- Të gjithë aplikantët do të kontaktohen me e-mail për mbarëvajtjen e vlerësimit të abstrakeve të dërguar.
- Për abstraktet e përzgjedhur, autorët do të njoftohen për afatet për realizimin e artikullit përfundimtar
Dërgoni brenda datës 14 gusht, në adresën e emailit: [email protected]
- Abstrakt (200 – 500 fjalë) ku të specifikohet qartë tema dhe objektivi(at) e synuar të artikullit, kuadri teorik, si dhe çështjet që do të trajtohen (skema e artikullit).
- CV e autorit(es) apo bashkëautorëve së bashku me një bio të shkurtër përshkruese
- Një publikim i mëparshëm do të konsiderohet vlerë e shtuar për vlerësimin e aplikimit
Udhëzime për përgatitjen dhe dërgimin e artikujve:
- Artikulli juridik duhet të jetë vepër origjinale e autorit(ëve) dhe duhet të ndjekë të gjithë rregullat e shkrimit akademik
- Artikulli duhet të jetë 4-8 faqe, A4, me formatin standard (Times New Roman 12, single space)
- Pranohen artikuj në njërën nga gjuhët (shqip ose anglisht), por kërkohet që të respektohen rregullat standarde të drejtshkrimit.
- Artikulli nuk duhet të jetë publikuar më parë në shtyp apo në mënyrë elektronike
- Kjo thirrje është e hapur vetëm për autorët që nuk janë përfshirë në thirrjen e kaluar për artikuj në Revistën Juridike Shqiptare
Ju ftojmë të konsultoni dhe Guidën e Autorit për më shumë informacion mbi kriteret e shkrimit të artikujve juridike: https://bit.ly/3MSI2gg
***
“Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE" , mbështetet financiarisht nga European Union in Albania – IPA Civil Society Facility 2021, dhe po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).