Sesion Diskutimi në Tiranë rreth Revistës Juridike Shqiptare dhe Blogut mbi Reformën në Drejtësi

Në kuadër të Revistës Juridike Shqiptare në tjetër aktivitet u zhvillua këtë herë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me departamentin e Shkencave Politike më 14 qershor 2018. Fokus i këtij aktiviteti nuk ishte vetëm prezantimi i Revistës Juridike Shqiptare, por edhe diskutimi dhe prezantimi i një prej risive të kësaj Reviste siç është Blogu mbi Reformën në Drejtësi.

Znj. Nirvana Deliu, Hulumtuese Politikash pranë EMA-s dhe njëkohësisht pjesë e grupit të punës së Revistës Juridike Shqiptare bëri një prezantim të Revistës, objektivave kryesore të saj dhe zhvillimeve më të fundit deri më tani. Ndërkohë që janë publikuar 6 numra të Revistës Juridike Shqiptare temat që preken aty përfshijnë të gjithë spektrin e zhvillimeve ligjore dhe institucionale në vend, duke pasur parasysh çështjet më të ndjeshme dhe ato më shumë të diskutuara në debatin publik. Revista Juridike Shqiptare, sipas saj, synon pikësëpari të jetë gjithëpërfshirëse ku të gjithë mund të jenë lexues dhe kontribues të saj. Dhe pse juristët dhe ekspertët e ligjit mbeten një target i rëndësishëm i kësaj reviste, Revista synon të përfshijë dhe grupe të tjera interesi, siç janë dhe studiuesit e shkencave politike. Një mundësi përfshirjeje e tyre, theksoi znj. Deliu, është dhe shtylla IV e RJSH: Bashkimi Europian dhe Integrimi, një fushë që studiohet po aq shumë dhe ka interesin maksimal të kërkuesve të rinj, pedagogëve por edhe studentëve të shkencave sociale dhe politike. Ajo nënvizoi, që në këtë shtyllë artikujt dhe autorët më së shumti nuk janë të profilit juridik, por të profesioneve dhe aftësive të tjera ku një nga këto shembuj është dhe pedagogia Klodiana Beshku, autore e një prej artikujve të Numrit 5 të RJSH. Revista, përfundoi Nirvana, është gjithëpërfshirëse dhe për faktin që ofrohet në dy gjuhë. Duke mundësuar dhe kërkuesit jo shqipfolës me interes të veçantë në zhvillimet e vendit tonë por dhe të rajonit dhe Europës, të kontribuojnë me artikujt e tyre në anglisht por dhe të kenë mundësi të informohen duke lexuar RJSH në versionin e gjuhës angleze.

Fjalën e mori znj. Klodiana Beshku, pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, e cila diskutoi më së shumti mbi eksperiencën e saj te Revista Juridike Shqiptare duke shpjeguar gjithë procesin e aplikimit deri në publikimin e artikullit. Sipas saj vlerë e shtuar e publikimit të artikullit në këtë revistë janë disa. Jo vetëm shpërblimi monetar që motivon dhe inkurajon më tej autorët për tu bërë pjesë e saj, ndryshe nga revistat e tjera që jo vetëm nuk shpërblejnë po në të shumtën e rasteve kanë dhe kosto shtesë për autorët. Një tjetër risi është dhe përkthimi i artikullit në gjuhën tjetër nga vetë përkthyesit e RJSH. Znj. Beshku ndër të tjera vlerësoi dhe gjithë procesin e recensimit dhe bashkëpunimin me kryeredaktoren. Ajo inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit që të përfshihen, si lexues aktiv dhe kritik, por dhe si autorë nëse fushat e RJSH përbëjnë interes për ta dhe vlerëson si të mundshëm kontributin me artikuj.

Temë interesante që ngjalli mjaft debat dhe diskutim ishte ajo mbi Blogun e Reformës në Drejtësi, prezantuar nga Av. Olesia Dosti, Menaxhere Programi pranë Institutit për Politika dhe Ligj. Av. Olesia bëri një prezantim të shkurtër të qëllimit të Blogut, dhe përzgjedhjes së temës me fokus Reformën në Drejtësi, duke vënë theksin te nevoja për një analizë më të thellë dhe të detajuar të këtij procesi, jo vetëm të vetingut, por dhe të ndryshimeve dhe zhvillimeve të tjera ligjore apo dhe ngritjes së institucioneve të reja. Ajo theksoi gjithashtu që blogu përditësohet në vazhdimësi në kuadër të zhvillimeve dhe ndryshimeve që ndodhin, pasi ekspertët e RJSH e monitorojnë gjatë gjithë kohës procesin e Reformës në Drejtësi. Ajo ftoi gjithashtu që pjesëmarrësit të përfshihen duke lexuar dhe duke u informuar, por dhe duke bërë komente pyetje apo sugjerime në hapësirën kushtuar atyre pas çdo publikimi dhe postimi të bërë në blog. Ajo theksoi që artikujt që hidhen në blog edhe pse realizohen nga ekspertë ligjorë kanë një gjuhë të thjeshtë dhe të qartë për të gjithë, si dhe faktin që blogu është një mundësi e mirë për të gjithë për të marrë informacione të sakta dhe të besueshme në lidhje më Reformën.

Pas kësaj një sërë pyetjesh dhe një diskutim i hapur u realizua me të pranishmit. Shumë prej tyre ofruan dhe sugjerime për temat dhe fushat që mund të përfshihen në blog, siç ishte dhe sugjerimi për të ofruar informacion mbi anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mënyrës si janë përzgjedhur dhe vlerësimit të tyre apo dhe mundësia për të analizuar nga ana ligjore dhe objektive pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij Komisionit. Pyetjet e pjesëmarrësve u shtrinë përgjithësisht mbi mundësitë për përfshirje në RJSH dhe procesin e vetingut.
 

 

 

Partnere e sponsore