Forum Diskutimi – Përtej Zhvillimeve Europiane – Reflektime nga Kërkuesit e Rinj

Më 15 dhjetor 2023, Lëvizja Europiane në Shqipëri mbajti një forum diskutimi në ambientet e Tirana Marriott Hotel në lidhje me publikimin e disa artikujve të karakterit publicistik në revistën online EuroSpeak dhe prezantimin e përmbledhjes së 10 artikujve në formatin e printuar në gjuhën shqipe. Thirrjet e ndryshme për shprehje interesi për publikim kanë pasur në fokus tematika në lidhje me zhvillimet e fundit në Bashkimin Europian, si dhe procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Ky aktivitet bëri bashkë jo vetëm autorët e artikujve, por edhe grupe të tjera interesi që angazhohen drejtpërdrejt me çështje të integrimit europian.

Erion Kristo, gazetar dhe ekspert i medias, gjatë moderimit pohoi kontributin e organizatave të shoqërisë civile në organizimin e aktivitete publike që thyejnë hendekun e komunikimit midis qytetarëve dhe aktorëve shtetërorë, që është përfolur së shumti dhe si deficit i Bashkimit Europian.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, në fjalën e tij hyrëse paraqiti një prezantim të shkurtër të revistës online EuroSpeak, e publikuar në fillim të vitit 2011, si revista e parë në vendin tonë me fokus integrimin europian dhe tematika specifike të BE-së në tërësi. Ai theksoi se qëllimi i revistës që në fazat e para të krijimit të saj është përfshirja e publikut të gjerë në çështje të cilat shpesh konsiderohen si të arritshme dhe të kuptueshme vetëm nga ekspertë të fushës. Gjatë thirrjeve të vazhdueshme për pjesëmarrje është shprehur një interes i gjerë për përfshirje duke rritur debatin dhe mendimin e lirë kryesisht nga kërkues të rinj. Ai gjithashtu vuri theksin te përfshirja e instrumenteve të informimit në një gjuhë të lexueshme për qytetarët e thjeshtë, përveç artikujve publicistikë, duke ulur kështu nivelin e keqinformimit të hasur në median e shkruar. Në fjalën e tij përmbyllëse, ai prezantoi përmbledhjen e fundit me 10 artikuj, të risjellë në formatin e printuar, ku trajtohen tematika përtej zhvillimeve europiane.

Elda Zotaj, lektore e Integrimit Europian dhe autore e shkrimit “Rigjallërimi i Procesit të Berlinit – Pritshmëritë dhë angazhimet e mundshme në rajonin e Ballkanit” paraqiti një panoramë të zhvillimeve kryesore në Ballkanin Perëndimor duke vënë në dukje se bashkëpunimi rajonal është parë si një mekanizëm që çon në stabilitetin e vendeve të BP dhe njëkohësisht rritjen e progresit për anëtarësim në BE. Ky këndvështrim i prezantuar pikërisht në nismën e ndërmarrë nga Angela Merkel me “Procesin e Berlinit, i cili në harkun kohor të 9 viteve, ka pasur uljet dhe ngritjet e veta duke u ndikuar nga ngjarje me dinamika brenda apo jashtë BE-së. Ajo pohoi se konteksti i ri gjeopolitik, rritja e populizmit dhe ulja e sigurisë nuk kanë sheshuar mosmarrëveshjet dypalëshe në BP, por rikonceptimi i kësaj nisme nga Scholz, kryesisht me mbështetje financiare deri në shumën 1 miliardë euro, po sjell një frymë pozitive bashkëpunimi në rajon. Kështu, në Samitin e Procesit të Berlinit u nënshkrua Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor; Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore. Ajo e përfundoi prezantimin e saj me përqendrimin e mëtejshëm te rigjallërimi i këtij procesi dhe arritja e objektivave të vendosura drejt një rrugëtimi të përbashkët.

Alban Tufa, Lektor i Komunikimit dhe autor i artikullit “Avantazhet dhe disavantazhet e inteligjencës artificiale në Shqipëri dhe masat e ndërmarra nga institucione përkatëse dhe Bashkimi Europian” e nisi prezantimin mbi praninë e inteligjencës artificiale duke marrë shkas nga ngjarjet në jetën tonë të përditshme si shikimi i një seriali me titull “Black Mirror”, ku në një seri të tij, një platformë prodhimi dhe transmetimi filmash kopjon jetët e përdoruesve të celularëve smart. Ai përmendi gjithashtu që ndikimin e inteligjencës artificiale e ka ndjerë gjatë shkrimeve të studentëve, të cilat të para nga këndvështrimi i lektorëve janë zhgënjyese për ta, sepse mund të mashtrohen lehtësisht. Ndërkohë që në Bashkimin Europian po ndërmerren masa rregullatore për përdorimin e inteligjencës artificiale në mënyrë të kontrollueshme, në vendin tonë përdorimi i saj nuk është shtrirë gjerësisht. Tufa theksoi se po diskutohet përfshirja e inteligjencës artificiale në sektorin e prokurimeve publike dhe shërbimeve online në nivel qeveritar, ku kryeministri ka shprehur se ChatGPT-ja do të ulë nivelin e kostos, kohës dhe korrupsionit. Ndërkohë në Europë është ndaluar përdorimi i plotë në çështje që lidhen me të drejtat themelore të njeriut, si për shembull, mbikëqyrja biometrike apo njohja e emocioneve. Ai gjithashtu përmendi se si disa profesione po zhvlerësohen nga zbatimi i inteligjencës artificiale, veçanërisht në fushën e komunikimit dhe marketingut ku ChatGPT-ja prodhon tekste apo postera të ndryshme. Në përfundim, ai ripohoi se përtej disavantazheve të përdorimit të inteligjencës artificiale në industri të ndryshme, prania e saj po bëhet e pamohueshme.

Reald Keta, Këshilltar ligjor pranë Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit dhe autor i artikullit “Kuadri ligjor dhe politikat e zhvillimit të inovacionit në BE” trajtoi se si inovacioni është kryefjala e Bashkimit Europian me qëllimin për të qenë garues me konkurrentë global, të cilët në fakt janë një hap para në krijimin e inovacioneve të reja në sipërmarrje. Strategjia e Lisbonës e vitit 2000, ishte hapi i parë i një fokusimi të plotë të Bashkimit Europian në fushën e inovacionit dhe koordinimin e tij strategjik. Pas 23 vitesh pohohet ende se zhvillimi i inovacionit në BE lidhet me garantimin e tregut të vetëm. Ai gjithashtu vuri ne dukje se niveli i ulët i investimit në total për Research & Development dhe kompleksiteti i qeverisjes së politikave të inovacionit të fragmentuara në drejtoritë përkatëse është shkak në nivelin e ulët të performancës së Bashkimit Europian në inovacion. Ai përmendi se disa modele unike të inovacionit janë Irlanda, Izraeli dhe Tajvani, të cilat e mbështeten zhvillimin në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme ndryshe nga vende të tjera si Japonia apo Koreja e Jugut. Në rastin e Irlandës, marrëdhënia shtet-industri e mbështetur tek agjencitë e zhvillimit, pra zhvillimi mbështetet te investimet e huaja, ndryshe nga Izraeli që është mbështetur nga grante qeveritare. Në fjalën e tij përmbyllëse, ai ritheksoi që inovacioni është një fushat që qeveritë globale i kushtojnë shumë kohë nëpërmjet hartimit të politikave në mbështjete të zhvillimit të tij.

Kejsi Ziu, Eksperte ligjore dhe autore e artikullit “Aspekte të krijimit dhe të veprimtarisë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Roli i Republikës së Shqipërisë” trajtoi themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në vitin 2015, bazën ligjore të krijimit të tyre, analizën e aktakuzave, si dhe rolin që mund të luajë Shqipëria. Selia e Gjykatës Speciale të Kosovës është e vendosur jashtë territorit të Kosovës pa përfshirjen e asnjë shtetasi të Kosovës në stafin e saj gjyqësor e teknik. Mandati i gjykatës fokusohet në gjykimin e kryerjes se një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, atë të trafikimit të organeve, nga disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Thaci, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, në veri të territorit të Shqipërisë, në bazë të përgjegjësisë penale individuale (neni 16(1)(a) i Ligjit) dhe në bazë të përgjegjësisë penale superiore (neni 16(1)(c) i Ligjit). Ajo theksoi se disa çështje juridike duhet te kenë vëmendjen e publikut si parimi i konfidencialitetit kundrejt të drejtës për informim. Ajo përmendi se te akuzuarit nuk janë njohur me versionin e paredaktuar të aktakuzës së ngritur kundër tyre dhe se zëdhënësit e DHSK-së dhe të ZPS-së nuk ka bere publike versionin e plotë të dokumenteve. Gjithashtu Ziu theksoi se ZPS-ja ende nuk ka bërë të ditur një parashikim mbi kohëzgjatjen e gjykimit, si dhe mbi të gjitha aktakuzat e ngritura janë vetëm për njërën palë të konfliktit. Ndërsa, nga pikëpamja e kontributit politik të shtetit shqiptar në këtë gjykim, qeveria shqiptare miratoi një rezolutë duke e dënuar raportin e Dick Marty-t dhe iu kërkua Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë pretendimet e ngritura. Ziu sugjeron që Shqipëria të paraqes pretendimet ligjore në cilësinë e “amicus curiae”. Në përfundim, ajo bëri të qartë se themelimi i DHSK-së ka krijuar një kulturë dëshkuese për krimet e luftës, por njëkohësisht ka vënë në dukje sfidat që has drejtësia tranzicionale në Kosovë.

Autorët e artikujve të publikuar në EuroSpeak, si dhe pjesëmarrës të tjerë diskutuan për tematikat e prezantuara në këtë forum dhe ato të trajtuara në artikujt e publikuar online apo në përmbledhjen e printuar. Ata shfaqën interes duke ngritur diskutime mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe bllokimin e saj nga vetoja greke dhe qëndrimin e shteteve të tjera anëtare, përdorimin e inteligjencës artificiale në fusha të tjera në Shqipëri, si dhe përfshirja e zhvillimeve dhe inovacionit në sektorë të tjerë kryesisht të ndërlidhur me mjedisin dhe shëndetin publik.

 

 

Partnere e sponsore