Forum Diskutimi – Dialog i hapur me shoqërinë civile dhe të rinjtë për çështjet e integrimit me fokus drejtësinë dhe shtetin e së drejtës

Më datën 08 maj 2024, Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë në kuadër të Ditës së Europës, organizuan një forum diskutimi në ambientet e Tirana International Hotel, me temën “Dialog i hapur me shoqërinë civile dhe të rinjtë për çështjet e integrimit me fokus drejtësinë dhe shtetin e së drejtës”. Në qendër të vëmendjes të këtij forumi ishte diskutimi mbi reformat e vendit në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të promovuar dialogun e hapur dhe bashkëpunimin mes institucioneve shtetërore, aktorëve të shoqërisë civile dhe të rinjve, dhe lirinë e medias.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, në fjalën e tij hyrëse, artikuloi një vizion të marrëdhënies midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, duke theksuar rolin kryesor të shtetit të së drejtës dhe angazhimin aktiv të shoqërisë civile. Gjipali, nënvizoi se Bashkimi Europian përfaqëson jo thjesht një aleancë politike dhe ekonomike, por një komunitet të bazuar në parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Ai theksoi rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian si jo thjesht një proces burokratik, por një angazhim të thellë ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta. Më tej, ai qëndron si gur themelor në një shoqëri të drejtë, duke nxitur stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e të drejtave individuale. Gjithashtu, Drejtori Ekzekutiv, nënvizoi rolin e domosdoshëm e medias së lirë dhe të pavarur në mbështetjen e parimeve demokratike dhe nxitjes së diskursit publik të informuar. Ai theksoi se një peizazh mediatik është thelbësor për mbajtjen e pushtetit në kontroll, ruajtjen e transparencës dhe sigurimin e shpërndarjes së perspektivave të ndryshme thelbësore për një demokraci që funksionon mirë.

Blerjana Bino, Drejtore Ekzekutive e SCIDEV në Shqipëri, ofroi një panoramë për audiencën dhe panelin mbi lirinë e medias dhe sigurinë e gazetareve si procese thelbësore për integrimin Europian, gjithashtu dhe rolin jetik të shoqërisë civile dhe fuqizimin e të rinjve në formësimin e së ardhmes së Shqipërisë. Ajo theksoi, se veprimet konkrete që synojnë forcimin e medias së lirë, dhe gjithashtu lirinë e fjalës duke njohur rëndësinë e saj, duhet të jenë në qendër të shtetit shqiptarë për t’u përmirësuar. Bino, qartësoi sfidat e shumëta me të cilat përballen gazetarët në peizazhin mediatik të Shqipërisë. Ajo nxorri në pah nevojën urgjente për përpjekje të përbashkëta për të kapërcyer këto pengesa, duke krijuar një shoqëri ku gazetarët mund të punojnë pa frikë, dhe ku zërat e të gjithë qytetarëve mund të shprehen lirshëm. Në fjalimin e saj, Bino përmendi se element kyç është dialogu i strukturuar. Shqipëria aktualisht ka rënë në “zonën e vështirë” nga cilësia e gazetarisë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Bino shtoi se ndërhyrja ligjore, si për institucionet shtetërore dhe ato private kërkon ndryshime afatgjate për të përmirësuar mjedisin aktual për gazetarinë dhe të krijojë një mjedis të sigurtë pune për gazetarët e rinj sot. Në përfundim, Blerjana Bino theksoi se ndërsa rruga përpara mund të jetë e mbushur me sfida, qëndrueshmëria e shoqërisë civile dhe vendosmëria e të rinjve për të mbrojtur lirinë e shprehjes do të mbizotërojë.

Elira Sylshabani, studente e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe një nga bashkëthemelueset e organizatës studentore MELIUS, në fjalën e saj shqyrtoi çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE nga dy këndvështrime thelbësore: fillimisht si studente e drejtësisë dhe si pjesë e brezit të ri që po përjeton sfidat aktuale të tregut të punës. Elira u përqendrua në aspektet kritike të këtij procesi, duke përshkruar sfidat dhe mundësitë që kjo sjell për të rinjtë. Ajo ndaloi tek nevoja për reforma të thella në sistemin arsimor, duke e vënë theksin në nevojën për të përshtatur arsimin me kërkesat e tregut të punës të ndryshuar dhe për të lehtësuar integrimin europian të vendit. Nëpërmjet përvojave personale dhe dialogut me bashkëmoshatarët, Sylshabani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kolektiv të të rinjve për të adresuar sfidat dhe për të ndikuar në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ajo përcolli një thirrje për angazhim të përbashkët dhe pjesëmarrje aktive të të rinjve në debatin dhe procesin e integrimit europian të vendit.

Tedi Dobi, Zëvendës Ministër i Drejtësisë në Shqipëri, reflektoi mbi progresin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Dobi nisi prezantimin e tij me një historik të shkurtër të krijimit të BE-së, zgjerimin e tij dhe marrëdhënien me Shqipërinë gjatë viteve. Gjatë fjalimit, Dobi vuri në dukje se tashmë me përmbylljen e procesit ‘screening’ janë identifikuar fushat ku kërkohet ndërhyrje më e hollësishme dhe e menjëhershme. Ato ndahen sipas prioriteteve, ku reformat kryesisht në fushën e shtetit të së drejtës, të mbuluara në Kapitullin 23 dhe 24 të acquis së BE do të kenë përparësi. Në këtë kontekst, Dobi shfaqi besimin e tij në vazhdimësinë dhe zbatimin e reformave të nevojshme për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian. Ai theksoi se përparimi në këto fusha është thelbësor për integrimin europian të vendit dhe për përmirësimin e qeverisjes së shtetit.

Pjesëmarrësit diskutuan me interes dhe dëshirë për të vazhduar bashkëpunimin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ata shprehën refleksione të thella në lidhje me sfidat që kanë hasur gjatë kësaj trajektorje të gjatë, duke u fokusuar në rëndësinë e vazhdimësisë së zbatimit të reformave, veçanërisht në fushën e drejtësisë. Ata theksuan nevojën për pavarësi të plotë të institucioneve ekzekutive, për të siguruar funksionimin e pavarur dhe efektiv të sistemit gjyqësor. Një përqendrim i veçantë u kushtua ndërgjegjësimit të qytetarëve në lidhje me lirinë e fjalës dhe të medias, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së këtyre lirive themelore dhe luftën kundër çdo forme të censurës apo presioneve të jashtme. Në fund, pjesëmarrësit u pajtuan në rëndësinë e transparencës në financimin e partive politike, si një hap kritik drejt një qeverisje më të integruar dhe më të drejtë.

*Ky forum diskutimi zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).

 

 

Partnere e sponsore