
Një ndër qëllimet primare të reformimit të thellë që iu bë së fundmi sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ishte parandalimi dhe luftimi i fenomenit të korrupsionit të pushtetit gjyqësor. Në funksion të këtij qëllimi, reforma u fokusua në dy drejtime kryesore. Së pari, u synua pastrimi i sistemit gjyqësor nga elementët e korruptuar, nëpërmjet aplikimit të procesit të vetingut ndaj të gjithë magjistratëve në detyrë. Së dyti, u synua një reformim rrënjësor, ligjor dhe institucional i sistemit me qëllim forcimin e pavarësisë, paanësisë, profesonalizmit, integritetit, llogaridhënies dhe eficencës.
Si një vend kandidat që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian, metodologjia e re e zgjerimit të Bashkimit Europian kërkon avancimin e mëtejshëm të reformës gjyqësore dhe luftës ndaj korrupsionit. Ndërkohë Raporti Screening për Shqipërinë i Komisionit Europian kërkon forcimin e pavarësisë, llogaridhënies, integritetit dhe eficencës së pushtetit gjyqësor. Referuar sa me sipër, punimi synon që, të analizojë masat ligjore dhe ato institucionale, të ndërmarra në drejtim të rritjes së integritetit të sistemit gjyqësor. Gjithashtu, në kushtet, kur reforma në drejtësi është në fazën e konsolidimit të saj, do të analizohet impakti që këto masa kanë pasur në drejtim të parandalimit të korrupsionit dhe rritjes së besimit të publikut.
Struktura e punimit do të përfshijë përshkrimin mbi synimet e reformës në drejtësi, referuar parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në gjyqësor, analizën e masave ligjore dhe institucionale që synojnë rritjen dhe forcimin e integritetit të sistemit gjyqësor, si dhe analizën e impaktit në praktikë të masave të ndërmarra për rritjen e integritetit të gjyqësorit, duke evidentuar nevojën për një sistem drejtësie të pavarur dhe të drejtuar nga integriteti.
Facebook Comments