Sesion Diskutimi në Vlorë rreth Revistës Juridike Shqiptare

Lëvizja Europiane në Shqipëri organizoi më 31 tetor 2017, në Vlorë aktivitetin prezantues të Revistës Juridike Shqiptare (ALJ), një nismë e ndërmarrë nga EMA me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Shqipëri. Gjatë prezantimit të RJSH një sesion informimi dhe diskutimi u realizua me fokus në aspekte të veçanta të Sistemit të Drejtësisë, sidomos mbi Reformën në Drejtësi. Aktiviteti u ndoq nga më shumë se 50 pjesëmarrës, studentë, lektorë dhe grupe të tjera interesi të cilët diskutuan me Kryeredaktoren e RJSH, Av. Holta Ymeri dhe një nga autorët e Revistës, z. Periand Teta në ambientet e Universitetit të Vlorës, Ismail Qemali.
Aktiviteti u përshëndet dhe nga përfaqësuesit e Universitetit të Vlorës  si dhe nga Drejtori Ekzekutiv i EMA, z. Gledis Gjipali, i cili vuri theksin mbi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes akademisë dhe shoqërisë civile për t’i dhënë më shumë hapësira dhe mundësi të rinjve dhe jo vetëm, në kontribute dhe angazhime.
Kryeredaktorja e Revistës Juridike Shqiptare, Av. Holta Ymeri në ndërhyrjen e saj sqaroi disa pjesë me rëndësi të Reformës në sistemin Gjyqësor në Shqipëri si dhe njoftoi pjesëmarrësit mbi një Sektor të ri të krijuar në faqen zyrtare të RJSH, kushtuar Reformës në Drejtësi dhe zhvillimeve më të fundit lidhur me të. Në këtë seksion çdokush do të ketë mundësi të diskutojë, të shkruaj komente, të japë opinione, si dhe të ngre pyetje në lidhje më fushat që lidhen me Reformën, proceset dhe zhvillimet.
Z. Periand Teta, një ekspert ligjor dhe kontribuues i Revistës Juridike Shqiptareparaqiti disa gjetje të tij nga artikulli monitorues mbi zbatimin e Reformës në Drejtësi deri më tani në Shqipëri. Z. Teta edhe pse pranoi që ka një progres të Reformës, paraqiti disa situata problematike që janë krijuar gjatë kësaj faze tranzitore. Lufta kundër Korrupsionit dhe Procesi i Vetingut u përmendën dhe u analizuan si një pjesë kyçe e Reformës. Gjetjet e artikullit nxitën një debat dhe diskutim mes pjesëmarrësit, të cilët nënvizuan problemet e gjyqësorit në Shqipëri si mungesa e infrastrukturës, apo stafit të kufizuar si dhe pamundësia për të krijuar një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe transparent. Gjatë diskutimit pjesëmarrësit ngritën pyetje rreth procesit të Reformës dhe rolit  të Bashkimit Europian në këtë proces si dhe vlerësimin e saj nga një perspektive legale, por edhe sociale, politike dhe teknike. Një nga pyetjet të cilësuara si më të rëndësishme lidhej në radhë të parë me rolin që do të ketë Reforma në Drejtësi në procesin e Integrimit në BE për Shqipërinë.  

 

 

Partnere e sponsore