Reforma në Drejtësi

Me Ligjin Nr. 76/2016 Parlamenti shqiptar ka miratuar një sërë ndryshimesh Kushtetuese në lidhje me sistemin gjyqësor shqiptar, të njohur ndryshe si Reforma në Drejtësi. Kjo reformë ka sjellë një gamë të gjerë ndryshimesh të organeve të gjyqësorit Shqiptar të cilat do të kenë një impakt të konsiderueshëm në mënyrën sesi ky i fundit do të funksionojë në të ardhmen.Megjithëse ndryshimet Kushtetuese janë të shumta, diskursi politik dhe si rrjedhojë vëmendja e publikut është përqëndruar kryesisht në funksionimin e sistemit të Rivlerësimit Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, e njohur ndryshe si Vettingu.

Por Reforma në Drejtësi shkon përtej Vettingut, ajo sjell një sërë ndryshimesh sistemike të tilla si

-ndryshimin e organeve ekzistuese, (mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve dhe kompetencat e tyre),

-krijimin e organeve të reja

-ndryshime thelbësore të disa aspekteve të sistemit tonë Kushtetues.

Këto aspekte të reformës të cilat do të kenë një impakt afat-gjatë në funksionimin e sistemit gjyqësor shqiptar janë pak të trajtuara dhe kërkojnë një analizë më të thelluar dhe sistematike. 

Për këtë arsye Revista Juridike Shqiptare ka vendosur të japë kontributin e saj duke ofruar një dritare ku të trajtohetn aspektet me interes të Reformës në Drejtësi. Kjo dritare do të pasqyrojë shkrime të kërkuesve, autorëve dhe ekspertëve të Revistës Juridike Shqiptare të cilët do të sjellin analiza, vlerësime të detajuara dhe të herëpashershme rreth krijimit dhe funksionimit të institucioneve të reja, ndryshimeve të legjislacionit si pasojë e reformës në drejtësi, apo ndryshimin e procedurave gjyqësore përkatëse. Këto analiza do të hedhin dritë jo vetëm mbi anën teknike ligjore të funksionimit të institucioneve dhe sistemit gjyqësor por edhe mbi ndikimet që Reforma në Drejtësi mund të sjellë mbi qytetarët apo grupet e interesit në Shqipëri. Gjithashtu dritarja e Reformës në Drejtësi do të pasurohet edhe me artikuj, analiza e studime të publikuara në media të tjera të shkruara apo online, ose të botuara nga ekspertë të fushës, në mënyrë që lexuesit e Revistës Juridike Shqiptare të kenë akses mbi një gamë të gjerë pikëpamjesh dhe ekspertize në lidhje me Reformën në Drejtësi.

Me shpresën se kontributi i Revistës Juridike Shqiptare do të jetë sadopak në dobi të lexuesve të saj, i ftojmë të gjithë lexuesit dhe autorët e RJSH-së të na dërgojnë shkrimet e tyre në lidhje me aspekte të ndryshme të Reformës në Drejtësi. Gjithashtu të gjithë lexuesit janë të ftuar të shkruajnë mendimet dhe analizat e tyre në pjesën e përshtatur për Blog-un.  

Facebook Comments

 

 

Partnere e sponsore